Kreu ri i Misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zanier tha të enjten se po has në vështirësi për të vendosur në praktikë autoritetin e tij ligjor në Kosovë.
Z. Zannier, tha të enjten në Këshillin e Përhershëm të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, OSBE, në Vjenë se as shqiptarët, as serbët, 'nuk po u vënë veshin' përpjekjeve të tij për të zbatuar në praktikë autoritetin e tij ligjor në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Sipas tij, autoritetet kosovare që nga hyrja në fuqi e Kushtetutës së Kosovës vazhdojnë të kërkojnë marrjen e përgjegjësive dhe të fuqive të një shteti sovran dhe e konsiderojnë Kushtetutën e Kosovës si të vetmin burim të pushtetit. Ndërkohë, serbët e Kosovës, sipas tij, kanë vazhduar të kundërshtojnë autoritetet e Prishtinës, duke nënvizuar se do të punojnë vetëm me UNMIK-un. Serbët e Kosovës kanë krijuar asamblenë e tyre në fund të gushtit, duke sfiduar OKB-në dhe shpalljen e pavarësisë nga shumica shqiptare. Pavarësia e Kosovës është njohur nga fuqitë kryesore të perëndimit, por kundërshtohet nga Rusia dhe Serbia. Ai kërkoi zgjerimin e punës së Misionit të OSBE-së në Kosovë, sidomos në fushën e të drejtave të njeriut dhe kthimin e të zhvendosurve. Misioni i OSBE-së është ndër misionet më të mëdha në Kosovë që numëron rreth 800 punonjës.